Ta realizomë atë që dëshiromë ta arrisimMilazim Salihu, ka lindur në Ferizaj, ku ka kryer gjimnazin, në Universitetin e Zagrebit ka diplomuar në Akademinë për Teatër, Film dhe Televizion/klasa për kamerë filmi në vitin 1982. Ka punuar në Televizionin e Prishtinës deri 1990, si kameraman, në tv programe, dokumentar, tv drama, si dhe në katër filma në bashkëpunim me Kosovafilmin, 20 dokumentarë me TV Lubjana. Nga ‘90 punoi për TV kroat dhe italian dokumentarë për shqiptarët, në Shqipëri organizon programet satelitore në Tiranë. Nga ‘94-99 emigron në Zvicër. Pas luftës në Kosovë, punon në Radio Kosovë. Në maj 2000 angazhohet në kinemanë e Prishtinës si drejtor, ku deri më sot udhëheq me sukses punën e dy kinemave të qytetit, ABC dhe ABC1, të vetmet kinema në Kosovë. - Kino ABC ka festuar 10-Vjetorin në maj, një dhjetëvjetësh të një pune të madhe në kultivimin e vlerave të kinematografisë, ju si drejtor sa jeni të kënaqur me sukseset e arritura përkundër sfidave? Aktivitetet e kinemasë në maj?- Një dhjetëvjetësh i plot i ngritjeve dhe rënieve të përbashkëta me Kinemanë ABC. Në këtë dhjetëvjetor, ABC ka arritur të sjell emra të mëdhenj të kinematografisë botërore dhe asaj shqiptare duke ofruar për publikun kosovar botën e këtij arti. Në kinemanë e vogël të qytetit, që ka një zemër të madhe për artdashësit dhe kineastët, në këto dhjetë vjet janë mbledhur emra të njohur të kinemasë. Kjo kinema ka shërbyer si urë lidhëse eKosovës me botën e filmit dhe i ka ofruar shikuesit të saj një kënd për të shijuar vlerat e kinematografisë. Muaji maj ishte muaji i filmit, kemi shfaqur katër premiera, filmi premierë botërore ‘Robin Hood’, një film kroat, filmin ‘Besa’, ‘This is it’, si dhe gjatë muajit janë shfaqur filmat më të mirë në këto 10 vjetët e fundit. - Kino është pjesë e edukatës, kulturës së një personi, sa vizitohet ABC nga kryeqytetasit? Cilët janë vizitorët më të shpeshtë? - Në krahasim me numrin e banorëve, gjysmë milion, në mos më shumë, kinemaja vizitohet shumë pak, edhe distributorët pyesin si është e mundur. Ndërsa vizitorët më të shpeshtë janë të rinjtë dhe atë më shumë kanë interesim për filmat amerikan, por jo aq edhe për filmat europian. Gjeneratat më të vjetra janë vizitorë më të rrallë. Por, ne punojmë, angazhohemi që kinemaja të jetë e hapur gjithmonë. - Shumë filma që janë shfaqur në ABC, ishin premiera botërore, a ka në premiera më shumë vizitorë? - Gjatë një viti ABC shfaq 4 premiera, pra çdo 3-4 muaj nga një film premier, nuk mund të them se ka më shumë vizitorë por i shfaqim për hir të atyre shikuesve të rregullt të kinemasë. Është edhe problem i kineastëve tanë që bëjnë aq pak filma, çdo tre vjet një film. Mbase po të prodhonim më shumë filma kosovarë, do të kishim edhe më shumë vizitorë në kinema. Për 10 vjet janë bërë 3 filma. - Sa ndikon pirateria në aktivitetin e kinemasë, sa e dëmton imazhin e kinemasë? - Në dhjetë vjetët e kaluara konkurrenca e vetme e jona ka vazhduar të jet pirateria, që e ka dëmtuar rëndë imazhine kinemave jo vetëm, në vend por edhe në Evropë, duke e pamundësuar shijimin e vlerave në ekranin e madh. Kjo luftë e pabarabartë, është bërë më e egër në Kosovë për mungesë të ligjeve dhe zbatimit të tyre. Mosfunksionimi i ligjit për kinematografi dhe ligji i së drejtës autoriale bënë që jo vetëm kinemaja, por edhe shteti të ketë humbje. Nxjerrja i ligjit dhe ndalimi i piraterisë do të rregullonte shumë gjëra. - Sa ndihmon marketingu që kino të vizitohet më shpesh? - Është një marketing i përgjithshëm, për premiera filmi bëjmë lajmërimin një muaj më parë, repertoarin e kemi çdo ditë në mediat e shkruara, herë pas here në ato elektronike. - Shumë ngjarje kulturore kanë simbolin e ABC, qoftë festivale filmi, javë filmi, seminare, workshope, promovime, në gjenerale aktivitet i gjithamshëm i ABC, sa kërkojnë angazhim këto aktivitete, si i vlerësoni nga këndi juaj? - Këto dhjetë vjet janë hera e parë që kinemaja udhëhiqet nga shqiptarët, në fillim ishim një staf i ri, i vetmi isha unë me një përvojë 35 vjecare. Tani jemi më kompakt me një staf me përvojë dhe bashkëpunimi në angazhimin rreth kinemasë jep frytet e suksesit. Gjithë vizitat e mia në festivale filmi në shumë shtete të botës, kishin qëllim që experiencën time ta sjell në Kosovë. Kjo ka rezultuar me shumë aktivitete në kinema, siç janë javët e filmit në bashkëpunim me ambasadat që janë në Kosovë. Kino ABC është një adresë që ka ndihmuar dhe ndihmon për filmin dhe rreth filmit. - Në gjithë këto ngjarje kanë defiluar dhe shumë persona publik në kinon ABC, ndonjë rast i vecantë? - Në vitin 2003, në javën e filmit francez, drejtoresha e Qendrës Kombëtare për Kinematografi në Francë, është shprehur se ‘Nga sot pranojmë që kineastët kosovarë të konkurrojnë në Fondin e Filmit të Francës, fond që ndihmon në prodhimin e filmave shumë shtete të botës, madje kanë ardhur dhe tre producentë nga Franca që kanë mbajtur seminare. Për habinë time, regjisorët që duhej të vinin dhe të konkurronin në këtë fond, nuk erdhën në këto seminare, kishte vetëm një numër simbolik të të interesuarve. Ky ishte rast i vecantë që ende pa u shpallur shtet, një organizatë e rëndësishme e Francës na pranon që të jemi të barabartë me konkurrentët e tjerë. - Prishtina pa lumë por me kinema aktive gjatë gjithë verës, çka do të ketë në repertoarin e sezonit veror, a do të ketë befasi për mërgimtarët? - Në repertoarin e sezonit veror do të shfaqim filmat që janë në trend, filma që janë edhe në repertoarin e kinemave evropiane. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, do të kemi kinema verore në amfiteatrin e Gërmisë, pranë liqenit, ku do të shfaqen filma çdo mbrëmje. kuptohet pas kampionatit në futbooll. Kjo është befasia për mërgimtarët. - Vizioni juaj për kinemanë... - Asnjëherë nuk je i kënaqur, sado që të arrish, prap ke ambicie.Vizioni im për kinemanë është ndërtimi i një qendre, një multiflex ku do të jenë dhjetë salla, filma për të gjitha moshat, nga filmat për fëmijë deri tek thrillerët, ku secila sallë do të ketë një zhanër të caktuar. Nuk do të ndalem, besoj se do të gjejmë forcë, jo vetëm unë si individ, por edhe si ekip që ta realizojmë atë që dëshirojmë ta arrijmë. Meri VESELI
|
|
- Kino ABC ka festuar 10-Vjetorin në maj, një dhjetëvjetësh të një pune të madhe në kultivimin e vlerave të kinematografisë, ju si drejtor sa jeni të kënaqur me sukseset e arritura përkundër sfidave? Aktivitetet e kinemasë në maj?
- Sa ndikon pirateria në aktivitetin e kinemasë, sa e dëmton imazhin e kinemasë? 
