Po ja luajte fjalën, ja ke luajt kufirin!

“Të rrosh apo të mos rrosh kjo është çështja”!
Po e filloj këtë homazh me vargjet e Hamletit, për njeriun, aktorin, regjisorin, pedagogun për heroin e filmit artistik, tani më të ndjerin Bekim Fehmiun.


Shkruan: Naser Shatrolli, Prishtinë



Loja me armën

Revolja e tij ishte amerikane, lejen për të, në dokumente, e kishte në emër të “Bekim Ibrahim Fehmiu”. Të bëmat e tij kanë qenë dhe do të ngelen misterioze ashtu qysh është misterioze vet jeta. Ai, me 22 të muajit qershor, kishte planifikuar për ta vizituar Prishtinën. Një miku i tij, i cili kishte marrëdhënie shumë njerëzore me të, e konfirmon këtë fakt. Miku i tij, rrëfen detaje interesante për të, por nuk deshi që të flas publikisht për guximin e tij njerëzor e artistik. Ku i dihet, ndoshta ka provuar të bëjë prova për rrolin e tij të fundit, dhe duke dashur që të tregoj se sa është guximtar, ai ka përfunduar atje ku askush nuk do të guxoj të përfundojë nga dora e vet. Të gjitha vdekjet e kanë një motiv, asnjëra nga llojet e vdekjeve nuk është e lehtë. Vtëvrasja si koncept, është më e rënda, përderisa i vetëvrari, vret jetën e tij. Por, vdekja natyrore, nuk është më pak e dhimbshme në këtë rast. Bile, kjo vdekje tragjike, shkakton dilema hamletiane tek vrojtuesi, dhe disi gjen ngushëllim nga vet akti, duke besuar në disa lloje motivesh, përderisa, tek vdekja natyrore, nuk gjen asnjë motiv ngushëllimi përveç lotit dhe ngushëllimit klasik. Vdekja e tij nuk ka të bëjë me alkoolin, drogën, prostitucionin, tradhtinë, pabesinë, siç kemi x-raste që ndodhin dhe që kanë ndodhur tek yjet botërore. Janë elementët shëndetësor dhe ata psikologjik, dhe presionet parimore si (këtë e pohon djali tij Hedoni) motive shtesë, që ta kenë shtyrë deri tek akti final për ta shkrep revolen amerikane në kokën shqiptare. Ai iku në moshën 74-vjeçare! Është e dhimbshme, tepër e dhimbshme! Megjithatë, mosha e arsyeton dhembjen. Të gjithë sot shprehin nota dhembshurie për figurën e tij, që nga shtresat e rëndomta e deri tek ato politike. Kjo vdekje tragjike, sikur u shfrytëzua për të gjetur një mënyrë për të komunikuar popujt ballkanik mes vete. Bekimi, është dhe do të jetë bekim ndërnjerëzor për kulturën ballkanike politike e kulturore. Ai ka menduar universalisht, njëherësh, me këtë rast ka provokuar për të ndërruar mënyrën e të menduarit popujt e margjinalizuar. Thjesht, ai u bë model poetik në të jetuar, për brezat në ecje.

Detaje

Ai nuk e kishte konsumuar alkoolin asnjëherë! Interesante!? Ka qenë njeri i fjalës, më thotë miku i tij. Fjala kur përzihet me rakinë, vlera e saj nuk është më e besueshme dhe qëndrueshme. Po ja luajte fjalën, ja ke luajt kufirin. Në librin e dytë autobiografik, që do të botohet së shpejti në Beograd dhe që do të përkthehet edhe në gjuhën shqipe, në detale ka shkruar se, kush ishin njerëzit e Kosovës që e kishin zhgënjyer atë, me emër e mbiemër, përkatësisht, kush ishin ata që i kishte admiruar.

Rastësi!

Unë kisha fatin në shtatorin e vjeshtës së shkuar, për të pirë kafe me të. Ishte para Teatrit Kombëtar, me miq e kolegë, si: Xhevat Çorraj, Selman Lokaj, Bislim Muçaj, Emin Halili, Shefqet Gjocaj, ka pasur dhe emra të tjerë, dhe mbase për tri orë kishte debate të ndryshme për artin, për rrethanat në të cilat gjendej arti vendor. Atë kohë, i biri i tij, Uliksi, kishte bërë një projekt artistik me një regjisor të njohur nga Beogradi, dhe kishte dhënë një intervistë për një gazetë Beogradase, të cilën e kishte përkthyer e botuar e përditshmja vendore “Koha ditore” dhe një tjetër javore. Unë i tregova që e kisha lexuar intervistën e Uliksit. Ai, vërtetë ngazëllehej kur dëgjonte nëpërmjet meje fjalët që kishte thënë Uliksi (biri i tij). Por si zakonisht me madhështinë e tij, ai, bisedën serioze, e shndërronte në batuta humori.

Më pyeti, çfarë keni studiuar, dhe kush ka qenë profesor i imi?
Ndërhyri Selman Lokaj, aktor, i cili tentoj që të fliste në emër timin. Ai nuk deshi, dhe i tregova vet se kush ishin profesorët e mi, i tregova poashtu se, shkruaj për teatrin, filmin, për artin në përgjithësi! Më tha, vërtetë po më gëzon, por mos u gëzo ti nga gëzimi im. Unë kam të drejt me u gëzuar me punën tënde, por jo edhe ti! Unë e mbaja fotoaparatin në dorë, por nuk kisha guximin që ta pyesja për një foto. Në fund fare, e pyeta? -Më tha: Jo! Nuk bënë, eja nesër në kinemanë ABC, atje do ta bëjmë! Ajo nuk ndodhi, sepse, nuk e pashë kurrë më. Ky moment për mua është njëri nga momentet më të fuqishme që do të ngelet në memoaret e mia. Ai, fjala kumbuese e tij, qëndrimi prej një intelektuali e aktori, thellësia e mendimit, qasja që ai e kishte për pedagogjinë dhe për parapërgatitjen e aktorit për skenën, që të gjitha, i krahasonte me arkitekturën dhe qëndrueshmërinë arkitektonike, të një arkitekture kulturore botërore.
Sot, askush se ka një ide të qartë dhe të saktë, ose askush nuk guxon të jep një konkludim për qasjen e tij prej një njeriu parimor. Të vetmen fjalë qo sot e dëgjon në Prishtinë, është se ka qenë i madh. Të gjithë flasin, debatojnë, të gjithë përulen para fotografisë së tij, e cila qëndron në kinemanë ABC, aty ku ai ndjehej më së miri. Poashtu, para Teatrit Kombëtar, në mbrëmje, njerëz, qytetarë, aktorë, regjisorë, mblidhen për të ndezur qirinj, për ta ndriçuar fytyrën e tyre me fytyrën e tij, për t’i dhënë kuptim lotit të tyre nëpërmes fytyrës e tij, për t’u bërë të guximshëm afër guximit të tij, për t’u bërë të lirë afër lirisë së tij, për t’u bërë heronj afër heroizmit të tij, për tu bërë artist afër imazhit të tij.
Sot, asnjëri, nuk ka një argument bindës se përse ai nuk u gjet i regjistruar në shiritin e filmit shqiptar apo në skenën teatrore vendore. Një aktor botëror është mbase e natyrshme që nuk do të margjinalizohet, përderisa, nami i tij ishte universal. Pra, filmi shqiptar, tendencat e tij për të depërtuar në botë, dita ditës, janë duke u rritur, por, asnjëri nga këto projekte filmike, nuk janë përshfaqur në festivalet prestigjioze ndërkombëtare ku Bekim Fehmiu dhe filmi i tij kanë mundur të shfaqen. Pra, krijuesi vendor, nuk ka pasur mundësi t’i ofrojë jetë, jetës së tij, edhe pse ai e ka dashuruar gjuhën filmike të filmit shqiptar. 
Thonë se atij i janë bërë padrejtësi, por askush nuk mundet ta vërtetojë se kush ishte ai që kishte pasur kapacitet për t’i bërë padrejtësi Bekim Fehmiut!? Janë thënë mendime të ndryshme, për filmin “Kur pranvera vonohet” për “Hamletin” për “Kolonel bunkerin”. Një e vërtetë është se, ai nuk është pjesë e atyre projekteve, dhe përderisa nuk është, d.m.th., se ai nuk e ka parë vetveten përbrenda atyre projekteve!
Ka të tjerë që thonë se ishte krenar, dhe krenaria e tij ka bërë që ai të mos i bindet askujt përveç sensit të tij. Kjo është mbase e qartë, sepse ai ka besuar në vlerën dhe nuk ka lejuar që të manipulohet në emër të vlerës së tij. Kjo ka qenë dhe ngelet parim i tij dhe i familjes së tij.
Ai kishte porositur gruan e tij, që trupi i tij të digjet në strivën e “turrës së druve” siç digjeshin dhe nderoheshin heronjtë e Antikës në detra e oqeane. Sot, njerëzorja e tij, do të shndërrohet në legjendë, arti i tij do të shikohet e himnizohet me veprat dhe heronjtë mitologjik. Sot miq, kolegë, poetë, aktorë, thurin vargje, vrapojnë kush i pari për të bërë diç për hirin e kufomës së tij, i cili do të hedhet në lumin e zambakut të Prizrenit, atje ku e kishte lënë moshën njomake.

Lumi është sinonim jete. Ai lumë dhe vepra e Bekim Fehmiut nuk do të shteren përderisa të shteren lumenjtë.

Është i pari ai që nuk do të ketë varr klasik, sepse varri i tij do të ketë shtrirje të zgjeruar. Njerëzoren dhe artistiken e tij, do ta shndërroj në shtrat lumenjsh, për ujitje të zambakëve të bardhë, për shuarje etjesh njerëzore, në varr për të pa varrosurit, në lidhje ndërnjerëzore. Lumenjtë nuk njohin kufij, nuk njohin hasmëri, ata ecin dhe vetëm ecin, për t?i dhënë jetë secilit banor dhe secilës tokë. Dhe si përfundim: Ai do të mbetet ujë bekimi për ata që do të lindin dhe për ata që do të vdesin. Me Bekim Fehmiun, po lind koncepti i modelit të aktorit, patriotit, pedagogut mbi të gjitha i njeriut me mentalitet botëror.

“Kurrë më”, “O flamur shkabë” dhe “Po, pasha bacën! Po!” 
  
Dibran Tahiri, aktor:

Bekim Fehmiu në vitet e 60-ta, kishte depërtuar në arenën ndërkombëtare si aktori më i sukseshëm shqiptar. Poashtu, edhe në vitet e 70-ta...
Me suksesin e tij të madh në filmin „mbledhësit e puplave“ që mori pjesë në festivalin e Kanes, u pa qartë se Bekim Fehmiu, ishte një aktor i jashtëzakonshëm, dhe falë suksesit të tij në rolin kryesor, filmi fitoi Palmën e Artë si filmi më i mirë i Festivalit, thënë shkurt Bekim Fehmiu, që nga ai moment, për një kohë të gjatë qëndroi në kulmin e kinematografisë botërore.
Ështe aktori i cili në vitet e 60-ta, drejtpërdrejt e frymëzoi një gjeneratë të tërë aktorësh të rinjë, ku në mesin e tyre u gjenda edhe unë. Ka qenë dhe mbetet model edhe kyintesenca e artistit jo të madh, sepse kjo fjalë tani më u devalvua, duke e përdorë për secilin, por ai ka qenë kyintesenca dhe shembulli i artistit të përsosur.


Mesazhi i Hedon Fehmiut (biri i Bekimit)
“Ai jetoi si samuraj dhe vdiq si një samuraj! Babai im shkoi me stil të madh, ashtu sikurse edhe jetoi. Unë jam i trishtuar sepse më mungon, por jam njëkohësisht i lumtur për shkak të tij… Kjo ishte dëshira e tij, dhe unë me gjithë zemër e respektoj dhe e mbështes”.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën serbe “Alo!”, Hedoni, i biri i legjendës së filmit, Bekim Fehmiu, i cili të martën pasdite bëri vetëvrasje.
Në heshtje, gati vjedhurazi ka vendosur për këtë veprim. Është shtrirë në heshtje në shtrat, dhe vendosi që në vete të shtjerë me armë. Bekimi, më të dashurve tij ua la një letër lamtumirëse, në të cilën për herë të fundit i porositi se i do, por edhe i luti ta kuptojnë.
Biri më i ri i Fehmiut ka thënë në një intervistë për “Alo!” se dëshira e babait të tij ishte që Lumbardhi i Prizrenit të jetë varri i tij.
“Gjithmonë i ka thënë nënës se kur të vijë ai moment, hiri i tij të shpërndahet në Lumbardhin e Prizrenit. E ka dashur atë qytet, ishte shtëpia e tij e dytë. Është shpërngulur aty nga vendlindja e tij, Sarajeva. Pasi të përfundojë kremacioni, ne do të shkojmë atje për ta përcjellë në banesën e përjetshme”, tregon dëshirën e familjes së tij, Hedoni.
Ai ndau kujtimet për babain e tij nga ditët e tij të fundit.
“Ai gjithmonë ka thënë që nëse nuk është vital, energjik me trup dhe shpirt, nuk dëshiron të jetojë. Dhe, nëse diçka e tillë i ndodh, do të shtie me një plumb në ballë! Ne gjithmonë nuk e kemi marrë seriozisht, duke menduar se është tepër romantik, por ai ka qenë gjithmonë konsekuent! Vitin e kaluar ka humbur dy motrat, për të cilat është shqetësuar. I ka parë se si vyshken sikur bimët, të vetëdijshme se jeta të cilin e kishin dashur ka kaluar, por nuk ka mundur t’u ndihmojë”, thotë Hedoni.
Dhe, ai mban mend dëshirën e pashuar të babait të tij për jetën, e cila në fund të shkurtit u zhduk pothuajse brenda natës.
“Deri para katër muajsh, nuk ka pasur njeri më vital se ai. Kur vija nga rruga, m’i merrte çantat e mia dhe vetë i bartte deri në katin e nëntë. Është kënaqur. Pastaj, pësoi një goditje në tru dhe çdo gjë ndryshoi. Ai ishte i pafuqishëm, u plak pothuajse brenda natës. Lëvizte dobët, fliste dobët, nuk ishte më i njëjti njeri, dhe këtë e ndjente. Nuk e ka dashur një fund të tillë…”, kujton Hedoni.
Pasi me nënën e tij ka gjetur trupin e pajetë të babait të tij mbi krevat, Hedoni thotë se kanë përjetuar një “tobogan të ndjenjave”.
“Nga ai shok, trishtim, dhimbje e deri te vetëdija se kishte kërkuar ashtu dhe për këtë shkak nuk duhet të vuajnë. Mund të flas për një vit, për të treguar se për çfarë do ta mbaj në mend. Ka aq shumë! Ai ishte një njeri i rrallë”, thotë Hedoni.
Lajmi tragjik e ka gjetur një trashëgimtar tjetër të Bekimit, të birin Uliksi, në Amerikë.
“Ai ishte në shok më të madh! Nuk ishte pranë tij dhe nuk e dinte se çfarë po ndodhte”, thotë Hedoni, i cili kishte dalë në aeroport për ta pritur të vëllain.


Naime Beqiraj
Secili prej njerëzve të mëdhenj, ka tregimet e veta interesante. Por, ne si shqiptarë, njerëzit e formatit të Bekim Fehmiut i kemi të rrallë, ndaj edhe tregimet për ta kanë kuptim në vete.
Nga joshja e parë si artist, shqiptarët jo të shumtë, të cilët kanë pasur fatin ta kenë njohur artistin e madh nga afër, i kanë tregimet të cilat pas njohjes kishin tjetër kuptim. Bekimi nuk ka qenë njeri që të ka pranuar menjëherë por kur të ka pranuar, atë e ka bërë së vërteti. Ndjehem krenare që e kam njohur nga afër. Pushoftë në Paqe!




Abdullah Zeneli

ODISEU IM

Bekim Fehmiut

Më ike kaq papritur i dashur mik
Benedikti im plotni zgjuarsie
Aventurier i puplave të shpupurishura
Që zhdavarisin qiejt e pafundësisë
Fama s’është gjë para flijimit n’altarin e pleqërisë
 
Për kremator kemi kohë sa të duash
Mik i dashur qoftë ai edhe në Beograd
Rrugë e gjatë të ndoqi deri në frymën e fundit
 
Më flisje për Prizrenin Sarajevën Shkodrën
Prishtinën në kapërcim se qenë kohë të tjera
Nga Sartri në Kanë Romë e Nju-Jork
Metropole pa fund deri tek Saharaja përcëlluese
Po Itakën do ta ruaje për Fund Odiseu im
 
Ne si Penelopa po thurim e shthurim rezoluta shpallje dekrete
Sikur më thoje shpesh se në këtë botë s’mbetet asgjë sekrete
Ndaj i hyre shkrimit testament për rrugët e famës
 
“E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” po është aventura
E artit të skenës e artit të celuloidit
Mik më ike mes kuqëlimit të qershive e aromës së blirit
Pak ditë pasi të nisa letrën e mbramë
Nuk e dija se do të qe urimi i fundit miku im i shtrenjtë
 
Tani Lumbardhi pret urnën në paqe aty ku nise Lojën e Madhe
Nga hiri tek hiri miku im plot hire me atë deklamimin tënd mitik

"Kurrë më", "O flamur shkabë" dhe "Po, pasha bacën! Po!"



  «ToolBox»
 » Proferojeni mikut tuaj...
 
 › MARKETING
  Lexo Online
 
  Nëse nuk keni
  flashplayer,
  klikoni këtu:
 
 
FLV PLAYER
 FALËNDEROJMË DONATORËT
Jannert Vins
DiaMedic
Zahndesign
Neumarktpraxis
SuissePhone
Rinia Reisen
› Das Baumanagement
› Autoshkolla Laura
Confidutia GmbH
› Hotel Wilhelm Tell
WOW! Fitness