Pavarësimi i Kosovës ishte një rrjedhojë logjike

Më 15 qershor 2010, u zhvillua debati me temën «Kosova dy vjet pas pavarësisë, perspektivat dhe sfidat» organizuar nga Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës  dhe Albinfo  dhe u mbajt në  lokalet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë.

Në këtë tryezë debati, ishin të pranishëm ambasadorë dhe diplomatë nga Kuvajti, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria; politikanë të lartë zviceranë, parlamentarë, përfaqësues të organizatave qeveritare dhe joqeveritare, gazetarë, studiues dhe bashkatdhetarë.  Debatuesit rreth tryezës ishin  Leonard Bander, avocat në Martigny dhe politikan, Michel Beurret, gazetar në televizionin zyrtar romand, Andreas Gros, këshilltar nacional dhe deputet në Këshillin e Evropës, Naim Malaj, Ambasador i Republikës së Kosovës. 
Në hapjen e debatit, Albana Krasniqi, koordinatore e Universitetit Popullor Shqiptar dhe Bashkim Iseni, ligjërues dhe studiues në  Universitetin e Lozanës dhe Neuchatelit, përshëndetën të pranishmit dhe përmblodhën me dy fjalë misionet e UPSH si organizëm që vepron në fushën e integrimit dhe të promovimit të vlerave kombëtare si dhe të Albinfo si platforme informative që synon promovimin dhe kyçjen sociale të popullatës shqiptare, përforcimin e resurseve personale dhe shoqërore të  mërgimtarëve. Ata më pas treguan se qëllimi i organizimit të këtyre tryezave është ne përputhje të plotë me misionet e dy strukturave dhe pikësynon njohjen sa më të mirë të komunitetit shqiptar dhe viseve nga ata vijnë.
Qëllimi i tryezës ishte të bëhen të njohura dhe të debatohet rreth ndryshimeve politike madhore që nga  shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Temat e prekura ishin situata gjeopolitike në Kosovë dhe në rajonin  e Ballkanit, gjendja e të drejtave të njeriut dhe e minoriteteve, avantazhet ekonomike të Kosovës, si dhe sfidat aktuale dhe të ardhshme. 
Në fjalën e tij Ambasadori Malaj, tha ndër të tjera se Kosova  është një vend i vogël që e gëzon pavarësinë vetëm prej dy vjetësh. Populli i Kosovës ka kaluar përmes një kalvari  historik, ka njohur dhunën, luftën, refugjatët. Si pasojë e gjithë kësaj, pavarësimi i Kosovës ishte një rrjedhojë  logjike që pasoi dekompozimin e shtetit jugosllav. Ai vijoi me sfidat me të cilat përballej dhe përballet Kosova, duke  shtjelluar se pas shpalljes së pavarësisë, vihej në pikëpyetje stabiliteti i rajonit, shprehej frika e një lufte të mëtutjeshme, përfliteshin shumë skenarë katastrofik, pesimistë dhe negativë sidomos nga ata që ishin kundër shpalljes së pavarësisë, duke marrë për bazë minoritetet dhe problematikat rreth tyre.
Zoti Malaj foli veç tjerave edhe për rëndësinë e Zvicrës si një ndër shtetet e para që e njohu pavarësinë, që ka  ende prezencë ushtarake në Kosovë, që merr pjesë aktive në ndërtimin e infrastrukturave dhe të demokracisë si dhe vend  mikpritës i më shumë se 200 mijë shqiptarëve që veprojnë e kontribuojnë në Zvicër. 
Andreas Gross parlamentar zviceran. Ai si anëtar i  Këshillit të Evropës tregon se nga 47 anëtarë të Këshillit të Evropës, 33 prej tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se pjesa tjetër nuk qëndron më në pozitat e palëkundura siç shpreheshin më parë.  Gross shprehet se është një ithtar i flaktë i  pavarësisë pasi historia na mëson se popujt e shtypur dhe të përballur me dhunën për një kohë të gjatë, nuk mund të  integrohen në të njëjtin shtet përmes autonomisë. Një popull që pavarësohet, bëhet zot i vetvetes dhe i merr përgjegjësitë mbi vete.
Leonard Bender, Avokat dhe politikan i rangjeve të larta liberale, dëshmon se e ka ndjekur drejtpërdrejt lindjen e shtetit të ri të Kosovës, me bashkëqytetarët e tij shqiptarë në Fully. Ai ka  qenë i impresionuar me nivelin e lartë të qetësisë dhe të dinjitetit njerëzor të treguar prej tyre.  Duke u bazuar në  politikat sociale dhe ekonomike ai mendon se demokracia në Kosovë ende nuk është e përfunduar dhe e konsoliduar dhe  se ndërtimi i shtetit të së drejtës është i një rëndësie të veçantë, si një nevojë për respektimin e minoriteteve por sidomos si një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik. Ne ua kemi lakmi që gjysma e popullsisë tuaj është nën moshën 20 vjeçare,- thotë ai, por përgjegjësia është e madhe për t’iu krijuar atyre projekte të qëndrueshme, pasi shqiptarët kanë dëshira dhe kapacitete, janë të gjindshëm në çdo rrethanë, dhe shpreson se ekonomitë e shumta të Kosovës që ai i ka parë gjatë vizitës së para disa javësh, paguajnë me rregull TVSH dhe taksat e ndryshme me qëllim rimëkëmbjen e vendit. 
Duke iu larguar real politikës ai i kthehet gjeopolitikës. Ai shprehet i kënaqur se skenarët ogurzeza të parashikuara pas pavarësisë nuk u realizuan dhe konstaton se edhe qëndrimi i shteteve thellësisht kundër pavarësisë, nuk qëndron më në te njëjtat pozita dhe ata nuk janë të gatshëm të kthehen pas. 
Ai ka propozuar në qarqet e politikës zvicerane qarkullimin e lirë të shtetasve të Kosovës në Zvicër, si një faktor ndihmues në zhvillimin ekonomik të vendit por edhe se kjo do te jetë e paevitueshme në një të ardhme të  afërt.
Michel Beurret, gazetar në televizion publik të Zvicrës franceze.  Ai shpreh keqardhjen  për shpërbërjen e ish Jugosllavisë dhe tregoi se një vit pas pavarësisë ai ka shkuar në Kosovë.
Ai shtron pyetjen se  pse kosovaret nuk kthehen për të ndërtuar shtetin e tyre, dhe konstaton se shteti është jo prezent, bujqësia nuk ka  zhvillim dhe se infrastruktura rrugore nuk ka përmirësime. Është e vërtetë thotë ai , se 68 vende e kanë njohur  pavarësinë por Kina, Rusia, India, si vendet më të mëdha nuk e kanë njohur ende. Kosova sipas tij njihet moralisht por jo juridikisht. Ai sheh te pavarësia e Kosovës një precedent të rrezikshën të së drejtës ndërkombëtare, pasi mund të bëhet burim luftërash në vende të tjera si Gjeorgjia, Spanja, Rumania etj. Ai shprehet gjithashtu i pakënaqur me gjendjen e ciganëve. Ai tha se ndihej i shokuar që shqiptaret kishin protestuar kundër zgjedhjeve serbe në Mitrovicë.
Ne  vazhdim pati  një replikë mes ambasadorit Malaj dhe Z. Beurret, ku ambasadori Malaj hodhi poshtë disa nga pikëpamjet e Beurret ndërsa duke u lidhur me protestën  në Mitrovicë kundër zgjedhjeve serbe, Ambasadori iu drejtua Z. Beurret: « ju shokoheni pse shqiptarët kanë protestuar kundër zgjedhjeve serbe në Mitrovicë, ndera nuk ju shokon fakti që këto zgjedhje organizohen nga një shtet i huaj në një shtet sovran dhe të pavarur!».
Diskutimet vijuan në mënyrë pasionante por edhe miqësore gjatë koktejit që u shtrua për të pranishmit në fund të takimit.


  «ToolBox»
 » Proferojeni mikut tuaj...
 
 › MARKETING
  Lexo Online
 
  Nëse nuk keni
  flashplayer,
  klikoni këtu:
 
 
FLV PLAYER
 FALËNDEROJMË DONATORËT
Jannert Vins
DiaMedic
Zahndesign
Neumarktpraxis
SuissePhone
Rinia Reisen
› Das Baumanagement
› Autoshkolla Laura
Confidutia GmbH
› Hotel Wilhelm Tell
WOW! Fitness