
Fatin tonë duhet ta marrinm në duart tona
Megjithëse është ndër më të rinjtë me moshë nga njerëzit tanë të politikës, Albin Kurti ka një të kaluar dhe të tashme të bujshme. Një histori të gjatë e të ndërlikuar të luftës për liri. Gjithmonë në lëvizje, me shikim përpara, ai ka ndryshuar e ndryshon vazhdimisht format e veprimit, varësisht nga rrethanat. Nga prijësi studentor-djaloshi me flokë të gjatë e me simpati për grupin irlandez “U2”, deri te kthimi nga vetvetja, nga shqiptaria, ai i është përshtatur çdo kohe dhe asnjëra prej tyre nuk ka arritur ta rrëzojë. Albin Kurti ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojë edhe sot vertikalisht. Në këmbë. Duke u besuar plotësisht ëndrrave dhe njerëzve. Popullit të tij. Edhe pse u dënua me nëntë muaj burg pas një procesi të padrejtë dhe zyrtarisht u la i lirë, pasi kishte vuajtur më shumë se kaq prapa grilave, ai nga misionet ndërkombëtare dhe pushtetet vendase të pasluftës vazhdon të konsiderohet si njëfarëlloj “deleje e zezë”. Megjithëse tash mund të marrë frymë pak më lirshëm, Albin Kurti nëpërmjet Gazetës “Tung” u drejtohet mërgimtarëve me porosinë: Kemi ende shumë punë për të bërë
Flet Albin Kurti, lideri i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Intervistoi: Bekim Muhaxheri

Mos të kërkojmë lëmoshë politike, por të vendosim vetë për veten
- Gjithmonë keni qenë dhe jeni pjesë e organizatave, lëvizjeve dhe përpjekjeve për çlirim. Megjithatë, e tashmja është kështu siç është, ndërsa e ardhmja jo fort e qartë. Sipas jush ku kemi gabuar?
- Sigurisht se ka pasur shumë gabime në rrugëtimin tonë kombëtar e shoqëror për liri, drejtësi, barazi e përparim, mirëpo po ashtu dihet që nuk ishte aspak kollaj. Historikisht shqiptarët kanë qenë të rrethuar prej shteteve e kombeve që i kanë synuar për vete tokat e populluara prej shqiptarëve, dhe për këto aspirata të tyre ata zakonisht kanë gjetur aleatë më të afërt e më të fuqishëm sesa aleatët eventualë të shqiptarëve. Një rrethanë e këtillë e vështirë, ka qenë tokë pjellore për elita vendëse shpeshherë të korruptuara të cilat u kanë bërë lëshime fqinjëve grabitqarë në dëm të popullit shqiptar vetëm për të vazhduar për të qëndruar në pushtet, ose për të ardhur në pushtet, mbi popullin shqiptar. Nuk është aq ndryshe as sot e kësaj dite. Dallimi është dallim për nga shkalla, por jo për nga natyra. Nuk po humbasim territore sa dikur, mirëpo vazhdojmë t'i humbasim ato. Përgjithësisht jetojmë më mirë se në të kaluarën, por jemi mbrapa fqinjëve tonë për nga treguesit ekonomikë, socialë, ushtarakë etj., dhe shumë larg prej vendeve evropiane. Shqiptarët duhet të mësohen që të mos kënaqen me pak. Ne nuk u kemi borxh të tjerëve që të ndjehemi fajtorë, apo të kërkojmë lëmoshë. Fatin tonë duhet ta marrim në duart tona.
- Cila është platforma juaj personale politike dhe platforma e Lëvizjes që drejtoni? Ku na çon ajo, kur dhe si?
- Lëvizja VETËVENDOSJE, kërkon që populli të vendos, që vullneti i popullit të përcaktojë bazat e sistemit politik dhe drejtimin e politikave. Siç dihet në Kosovë e për Kosovën po vendos gjithfarë politikani a diplomati vendës a ndërkombëtar por jo populli. Kjo është e padrejtë dhe shumë e dëmshme. Fundja, realiteti i këtyre dhjetë vjetëve të pasluftës është dëshmi për këtë. Meqë Pavarësia e Kosovës nuk u shpall duke u bazuar në të drejtën e popullit për Vetëvendosje, ajo edhe më shumë se dy vjet pas shpalljes vazhdon të mbetet pa Sovranitet. Lëvizja jonë angazhohet që Kosova të bëhet sovrane. Kjo nënkupton pesë gjëra themelore:
Kosova të ketë ushtrinë e saj që i mbron kufijtë e saj;
Kosova të mos ketë instanca ndërkombëtare që nuk i japin llogari as qytetarëve dhe as institucioneve dhe mbi këto të fundit kanë fuqi ekzekutive; Kosova ta ketë të drejtën për t'u bashkuar me Shqipërinë;
Kosova të disponojë me resurset natyrore dhe kapacitetet zhvillimore e jo ato të shiten më lirë se badihava me këtë privatizim neoliberal dhe,
Kosova të mos ketë struktura të Serbisë, decentralizim administrativ e territorial mbi baza etnike dhe eksterritorialitet të trashëgimisë ortodokse që e serbizon atë.
Këto duhet t'i arrijmë me organizim kombëtar, shoqëror e qytetar. Lëvizja jonë organizon tubime publike, aksione protestuese dhe demonstrata drejt realizimit të këtij qëllimi. Njëkohësisht, jemi pjesë e Rrjetit të Organizatave Shqiptare (RrOSh) që grumbullon mbi 20 organizata anekënd kufijve që na ndajnë padrejtësisht me qëllim të integrimeve politike, ekonomike, kulturore etj. ndërmjet shqiptarëve.

Vetë nuk mund t’i zhbëjmë proceset negative që po i turren Kosovës
- A mund t'i ndalojë dhe t'i zhbëjë kjo platformë proceset politike negative rreth Kosovës, sepse sado që keni zhvilluar aktivitet të ngjeshur, decentralizimi po ecën përpara, eksterritorialiteti po forcohet, ndërsa do të bëhen edhe bisedime që po quhen teknike…
- Proceset negative nuk mund t'i ndalë kurrfarë platforme vetëm si e tillë, por organizimi gjithëpopullor. Është e vërtetë që ne nuk kemi arritur ende t'i ndalim të këqijat që i janë turrur Kosovës. Mirëpo, mendoj që do të ishte edhe shumë më e keqe gjendja sikur në Kosovë të mos ekzistonte Lëvizja VETËVENDOSJE! Ne kemi ndikuar në zvogëlimin dhe ngadalësimin e së keqes, ndonëse jo në ndaljen e saj. Kur them ne, i kam parasysh të gjithë ata qytetarë që rregullisht apo kohë pas kohe na kanë mbështetur. Detyra jonë kryesore është organizimi dhe mobilizimi i qytetarëve. Ne nuk kursejmë asnjëherë veten tonë. Por, për sukses nevojitet që i tërë populli të ngrihet. Problemet janë shumë të mëdha.
- Keni paralajmëruar hyrjen në skenën politike të vendit duke ruajtur rebelizmin. Sa mund të jetë kjo e mundshme dhe sa duhet të zbuteni e të ndryshoni për këtë?
- Nuk ka përfunduar diskutimi i brendshëm në Lëvizjen tonë rreth mundësisë për pjesëmarrje në zgjedhje në të ardhmen. Ajo që dihet është se nuk po diskutohet kjo çështje lidhur me kurrfarë zbutje tonën, por për forcimit e sistemit nëpërmjet ndryshimit rrënjësor të tij. Qëllimi dhe koncepti ynë nuk do të ndryshojë. Diskutimi ynë për çështjen e zgjedhjeve në të ardhmen është diskutim vetëm për strategjinë me ç'rast dalja eventuale në zgjedhje nuk do të ishte zëvendësim i metodave por shtim i tyre.
Duhet të arrestohen dhe gjykohen policët rumunë të UNMIK-ut
- Demonstratat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me skenarin dhe mjetet ndihmëse u ngjajnë shumë atyre që mbaheshin në Irlandë. Pse kjo ngjashmëri?
- Më parë se sa që demonstratat tona ngjajnë me ato në Irlandë, besoj që bëhet fjalë për ngjashmëri kontekstesh. Ose, më saktë, okupimi, kolonizimi dhe shtypja, që të gjitha këto nga një shtet fqinj, si dhe ndarja e popullit irlandez sigurisht që ka ngjashmëri me popullin tonë.
- E shtuna e 10 shkurtit 2007 mund të quhet "Bloody Saturday" e Kosovës. Ka mbetur plagë e hapur. Kur do të mbyllet?
- Së pari, atëherë kur të realizohen kërkesat e asaj demonstrate: hedhja poshtë e planit të Ahtisaarit që e bosnjëzon Kosovën dhe realizimi i së drejtës për Vetëvendosje për popullin e Kosovës. Së dyti, atëherë kur do të bëhet arrestimi dhe gjykimi i policëve rumunë të UNMIK-ut që me 10 shkurt 2007 vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn e plagosën edhe 80 demonstrues të tjerë paqësorë.

Kam pasur ditë më të vështira se këto nëpër të cilat po kalojmë
- Megjithëse kundër procesit gjyqësor ndaj jush janë deklaruar mbi 150 mijë shqiptarë, ai proces edhe pse shtyhet vazhdimisht, po vazhdon. Çfarë dëshmon kjo dhe sa janë të rënda këto ditë ndjekjesh, për ju dhe lëvizjen që drejtoni?
- Kam pasur ditë shumë më të vështira se këto. Megjithatë, nuk është kollaj për të gjithë neve meqenëse kanë ndërsyer me dhjetëra agjentë policorë në përcjellje të zyrës së VETËVENDOSJE-s dhe të shumë aktivistëve të saj dhe të lokaleve që ata zakonisht i frekuentojnë. Procesi gjyqësor po shtyhet në kundërshtim me kërkesën e peticionit masiv të qytetarëve për mbylljen e tij. Qëllimi i EULEX-it me këto shtyrje është që ta mbajë gjallë fletarrestin dhe persekutimin ndaj meje. Po ashtu, EULEX-i do që t'i disiplinojë gjykatësit, prokurorët, policët e deri edhe avokatët shqiptarë. Aktakuza e këtij procesi është e njëjta prej kohës së UNMIK-ut. Ajo është e fabrikuar dhe me bazë të dobët ligjore. Dihet që, më 10 shkurt 2007, së pari, policia e bllokoi marshin tonë duke na e mohuar të drejtën për lëvizje të lirë dhe për grumbullim e protestë. Dhe, së dyti, 8 sekonda pasi që ne e vazhduam marshin policia shtiu me armë vdekjeprurëse në demonstruesit duarthatë. Do të ishte shumë e lehtë për EULEX-in që ta shfuqizojë këtë aktakuzë. Por, EULEX-i vazhdoi me po atë aktakuzë dhe madje e barti rastin te Prokuroria Speciale!
- Tentim-arrestimi në varrimin e veprimtarit Ali Aliu (Kelmendit) u mbajt gati fshehur, thuajse u hesht medialisht. Çfarë ndodhi në të vërtetë atë ditë?
- Pasi që kisha mbajtur një fjalim në Teatrin Kombëtar ku u organizua një tubim komemorativ të nesërmen që veprimtari Ali Aliu kishte vdekur, dhe pas përfundimit të ceremonisë mortore te varrezat e qytetit, njësia speciale e policisë e ndali kolonën e makinave dhe intervenoi dhunshëm kundër aktivistëve dhe qytetarëve të shumtë. Makina në të cilën unë ndodhesha ishte e dyta në radhë. Me gjasë ata menduan që unë jam në makinën e parë dhe u hutuan pas saj, gjë që na mundësoi neve të kalojmë. Tepër vonë e panë se kanë gabuar.
Për politikën në Prishtinë e Tiranë fajtorë nuk janë maqedonasit, por shqiptarët që u vranë!!!
- Në Maqedoni këto ditë u vranë katër shqiptarë me akuzën se bartnin armë dhe i takonin një grupi të armatosur. Reagimet e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare u dukën shumë të zbehta. Kur do të bëhemi faktor dhe si?
- Qeveria e IRJM nuk po zgjedh mjete për t’i shtypur shqiptarët. Policia e saj që sillet si paramilitare, vepron në mënyrë terroriste kundër shqiptarëve për t’i detyruar ata që të heshtin dhe mandej ose të asimilohen ose t’i braktisin trojet e tyre. Krerët e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës u sollën thuajse shqiptarët patën faj që i detyruan policinë maqedonase që t’i vrasin! Elitat tona politike në vazhdimësi kanë hall veten e tyre dhe jo hallet e popullit. Rruga për te faktorizimi kalon nëpër organizim.
- Ju konsiderojnë të pandalshëm. Kur do të ndaleni, kur do të pushoni, kur do ta vlerësoni punën e kryer?
- Mendimi më i mirë dhe më i drejtë është në ecje e sipër.
-------------------------
VETËVENDOSJA më në fund, paralajmëron se do të hyjë në zgjedhjet paralamentare të 2011-tës
Se Albin Kurti dhe lëvizja që ai drejton zhvillojnë aktivitete të shumta dhe të përditshme, se rreth këtij njeriu dhe kësaj lëvizjeje zhvillohen shumë ngjarje, dëshmon edhe kjo intervistë. Derisa intervista përgatitej për botim në numrin 40 të "Tung"-ut, Albin Kurti paralajmëroi pjesëmarrjen e "Vetëvendosje"-s në zgjedhjet e ardhme nacionale, si lëvizje qytetare. Të njëjtën ditë ai u arrestua pas intervenimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Dhe me procedurë të shpejtë pas një procesi gjyqësor që zgjati disa orë u dënua me nëntë muaj burg për pengim të personave zyrtarë në krye të detyrës gjatë demonstratave të 10 shkurtit 2007, por u la i lirë pasi në kohën e UNMIK-ut për të njëjtin "faj" kishte qëndruar më tepër së dhjetë muaj nëpër burgje dhe arrest shtëpiak.
EULEX-i kështu e vazhdoi rrugën që kishte nisur duke injoruar hapur peticionin e gati 200 mijë qytetarëve për mosndjekje penale të Albin Kurtit. Ndërsa numri një i "Vetëvendosje"-s, tash kur nuk e ka më "shtetin mbi shpinë" vazhdon aktivitetet e tij. Ka zgjedhur rrugën e vështirë. Ka zgjedhur që të ecë përpjetë rrjedhës :
VETËVENDOSJA dhe Albin Kurti, më në fund, do të hyjnë në zgjedhjet paralamentare të 2011-tës
-------------------------
Kosova e VETËVENDOSJES! duhet të ketë:
- Ushtrinë e saj që i mbron kufijtë
- Të drejtën për t'u bashkuar me Shqipërinë
- Resurset natyrore dhe kapacitetet zhvillimore e jo ato të shiten më lirë se badihava me këtë privatizim neoliberal
Kosova nuk duhet të ketë:
- Struktura të Serbisë, decentralizim administrativ e territorial mbi baza etnike dhe eksterritorialitet të trashëgimisë ortodokse që e serbizon atë
- Instanca ndërkombëtare që nuk i japin llogari as qytetarëve dhe as institucioneve dhe mbi këto të fundit kanë fuqi ekzekutive
-------------------------
Turpi i policisë së Kosovës: Tentim-arrestimi pas varrimit të veprimtarit Ali Aliu
Edhe pse thotë se ka kaluar ditë më të rënda e më dramatike se këto ditë ndjekjesh e përpjekjesh për ta arrestuar, Albin Kurti shpjegon atë që ndodhi pasditen e 26 prillit 2010, para dhe pas varrimit të veprimtarit Ali Aliu: “Pasi që kisha mbajtur një fjalim në Teatrin Kombëtar ku u organizua një tubim komemorativ të nesërmen që veprimtari Ali Aliu kishte vdekur, dhe pas përfundimit të ceremonisë mortore te varrezat e qytetit, njësia speciale e policisë e ndali kolonën e makinave dhe intervenoi dhunshëm kundër aktivistëve dhe qytetarëve të shumtë. Makina në të cilën unë ndodhesha ishte e dyta në radhë. Me gjasë ata menduan që unë jam në makinën e parë dhe u hutuan pas saj, gjë që na mundësoi neve të kalojmë. Tepër vonë e panë se kanë gabuar.
|
|
|