Fjala e Kryeministrit
Kryeministri i Republikës së Kosovës nëpërmjet televizionit iu drejtua kombit duke thëne se nuk është i pagabueshëm dhe duke kërkuar përkrahjen e popullit.- Albin Kurti, lider i Vetëvendosjes në mënyrë spektakulare u arrestua nga policia e Kosovës për tu liruar të nesërmen nga Gjyqtari i Euleks-it, duke u dënuar me kohën e paraburgimit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë pritet të marr vendimin për Kosovën dhe menjëherë pas kësaj do të hapen bisedimet e drejtpërdrejta Kosovë- Serbi. - Në Kosovë pati protesta për lejimin e shamisë në shkolla.
Ramush Tahiri
Fjala e Kryeministrit
Hashim Thaçi, Kryeministër i Republikës së Kosovës, iu drejtua qytetarëve nëpërmjet një fjale që e lexoi në Televizionin Publik të Kosovës. I përsëriti gjërat që i kishte thënë edhe më herët duke forcuar vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit, duke potencuar se nuk është i pagabueshëm dhe duke kërkuar përkrahjen e të gjithë qytetarëve në punën e tij dhe të Qeverisë së tij. Ajo që në Kosovë bëri përshtypje ishte paraqitja pa paralajmërim, fjalimi pak më i gjatë dhe toni pajtues dhe hapja e shumë çështjeve përnjëherë. Kosova sikur kishte harruar se Agim Çeku kur ishte kryeministër i drejtohet popullit çdo të mërkure nëpërmjet Radio Kosovës dhe ky fjalim botohej edhe në të gjitha gazetat. Bajram Kosumi fjalimet e veta i botonte në shtyp dhe mandej i botonte në formë broshure... Pra Kryeministri mund t’i drejtohet kur të dojë popullit për aq herë sa konsideron se është e nevojshme. Kjo nuk është gjë e jashtëzakonshme dhe nuk duhet pritur gjendje të jashtëzakonshme edhe pse në situata dramatike Kryeministri dhe Presidenti i vendit, apo udhëheqës të tjerë, i drejtohen kombit për ta sqaruar, për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje dhe për ta kapërcyer gjendjen. Krejt kjo është normale.
Vetëvendosja përgatitet për zgjedhjet vendore të vitit 2011
Lideri i vetëvendosjes, pikërisht në pesëvjetorin e organizatës së vet, dhe pikërisht në ditën e përvjetorit të hyrjes së forcave ushtarake të NATO-s në Kosovë, në një aksion spektakular të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës - u arrestua. Arrestimit i priu një bisedë e dy policëve të rregullt të Kosovës që kërkuan të hyjnë në lokalet e Vetëvendosjes dhe t’i dorëzojnë një fletë arrest të lëshuar nga Gjykata Albin Kurtit, i cili sapo kishte mbajtur një konferencë për medie. Pasi këtyre policëve nuk iu lejua hyrja e as biseda me liderin e Vetëvendosjes atëherë hyri në veprim Njësia Speciale e Policisë së Kosovës me përdorimin e dhunës “në masën e nevojshme për suksesin e aksionit” arritën ta arrestojnë Albin Kurtin, të cilin duke i hequr disa akuza Gjyqtari i Euleks-it e shpalli fajtor dhe e dënoi për aq ditë sa kishte qenë në paraburgim, dhe e liroi menjëherë. Përplot njerëz dhe institucione në Kosovë thanë që u bë mirë sepse më në fund kjo çështje u mbyll, edhe pse ka edhe të tjerë që thonë se është keq që Albini u dënua sepse më e drejtë dhe më e ndershme do të ishte që ai të shpallej i pafajshëm dhe të lirohen nga të gjitha pikat e akuzës. Tash i mbetet liderit të Vetëvendosjes që të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme si qytetar i lirë që nuk ka më obligime ndaj ligjit, por që e ka të vështirë gati të pamundur, të angazhohet për programit e tij politik për bashkimin kombëtar, sepse kjo bie në kundërshtim me nenin 1 paragrafi 3 i Kushtetutës, që nuk i lejon kërkesat që Kosova të mund të bashkohet me ndonjë shtet tjetër.
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për Kosovën
Diku kah mesi i muajit korrik pritet të nxirret vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, rreth shpalljes së aktit të Pavarësisë së Kosovës. Mendohet se mendimi apo teksti mund të jetë jo shumë i qartë apo që secili t’i lexojë vetëm pjesët që i duken të favorshme. Ajo që do të pasoj dhe që duket e sigurt, është se bisedimet do të nisin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si “forma më e mirë e zgjidhjes së çështjeve të hapura”. Si do të dalë Kosova nga kjo mbetet të shihet. Sipas përgatitjeve të deritashme nuk ka shumë vend për optimizëm.
Së fundi ka dalë opsioni, që më duket i drejtë se, nëse do të flitet për përkufizime e shkëmbime territoriale atëherë duhet të kyçet edhe Shqipëria sepse nuk është e drejtë ekskluzive e Kosovës të vendos për territorin etnik kombëtar në cilëndo pjesë të tij. Pra nëse ka bisedime për shkëmbim territoresh atëherë këto do të jenë bisedime shqiptaro – serbe e jo Kosovë –Serbi.
Protesta për shamitë
Kosova i përjetoi protestat për të drejtën e bartjes së shamisë në shkolla. Reagimet dhe raportet ndërkombëtare për Kosovën pas kësaj janë nga më të ndryshmet. Edhe në Kosovë po zhvillohen debate të ashpra. Kosova është shtet laik dhe të gjitha institucionet e saja janë laike, pra sipas kësaj nuk duhet të ketë shami dhe si po u thonë uniforma fetare, apo simbole fetare nëpër shkolla. Disa të tjerë thonë se ky është manifestimi agresiv i islamit politik. Disa të tjerë thonë se në islam nuk lejohet nëpër shkolla të rrinë së bashku djem e vajza përderisa janë të pamartuar. Të tjerët thonë se shkollat i kanë të përcaktuara rregullat e dukjes dhe të veshjes së nxënësve. Të tjerë ka që thonë se deri në moshën madhëro përkatësisht në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare nuk duket të ketë shami për vajzat, sepse fëmijët i mbron Konventa Ndërkombëtare për të drejtat e liritë e njeriut dhe të fëmijës. Disa mendojnë se nuk i ndihmon Kosovës dhe ky nuk është prioritet i saj. Kosova është shtet laik dhe shtet evropian, i cili synon të hyjë në Bashkimin Evropian. Shtete e mëdha me demokraci të zhvilluara si Franca, Belgjika dhe Spanja me ligje e kanë ndaluar mbulimi me shami dhe ferexhe... Ndërsa Turqia si një shtet sekular me akte dhe rregullore të veçanta e ndalon mbajtjen e shamisë dhe ferexhesë në shkolla dhe universitet publike si dhe vende të ndryshme pune...
Në Kosovës ende nuk ka Ligj për fetë (religjionin) dhe as që duket në horizont hartimi i tij, pa le më miratimi dhe zbatimi...
|
|
|